Me siguri Çajupi do më quante të marrë, a tradhëtare, madje dhe disa miq a mikesha të miat të vjetra, do të habiten pa masë me mua. Unë, që gjithmonë kam mbrojtur dhe bërë moral mbi vlerat e atdheut tim, që pavarësisht se mora edukim në një shkollë turke, parimore më shumë se kurrë,
... u rradhisja të tjerëve arsyet pse nuk duhet të largoheshin nga vendi. Unë që aplikova në shumë universitete të huaja e me kaq shumë mundësi për të ndjekur, vendosa të qëndroj të studioj në Shqipëri, sepse nuk doja të humbisja vendin që zija në komunitetin tim, në shtetin tim, madje pata frikë se padashje do humbisja vendin dhe në familje. (Isha e vogël, u frikësova.)
Vendosa të qëndroj dhe të përmirësoj vendin tim. (Isha e vogël, kisha guxim.) Vendosa ti jap një shans atdheut tim. (Isha e vogël, kisha kohë.) .....U pendova!!
Ku i duket balta, më e ëmbël se mjalta?
Në Shqipëri.
Përse të punojë dhe të lakmojë?
Për vend’ e tij.
***
Përshëndetje,
më lejoni tu prezantohem:
Ich bin Jonara!
:)
:)
Para pak kohësh nisa të marr mësime mbi gjuhën gjermane, dhe pavarësisht se kur më pyesin fshihem pas asaj fjalisë së famshme “Ta mësojmë, ta kemi.”, qëllimi im është i qartë, ti krijoj vetes mundësi të largohem nga Shqipëria.
Ka shumë momente që më vjen turp ta pranoj, por më të shumta janë momentet kur ndjej keqardhje për veten, vendin tim, por sidomos për veten. Shqipëria të mbyt, ti vendos limitet që në fillim, nuk të lejon të avancosh, të bësh progres, qoftë profesionalisht, qoftë si individ (edhe progresin emocional, e çuditshme si arrin ta parandalojë), një popull i tërë, i brumosur në mënyrën e gabuar, sepse nuk dinë, nuk kanë, dhe aq sa u vë faj, aq dhe më duken viktima.
Jemi në një rreth vicioz, të cilin nqs unë para disa viteve mendoja se mund ta ndryshoja, sot e kam kuptuar që s’mundem.
Nga një vajzë me ëndrra,
vendi im po më zvogëlon çdo ditë,
e këtu ka zanafillën dhe keqardhja ime për veten.
Tani më lejoni tu them diçka vërtet shqetësuese,
në grupin tim të kursit, nga 6 persona,
4 jemi mjekë ose studentë mjekësie.
Të zhgënjyer nga vendi ynë,
dhe pa mundësi të tjera,
mësojmë se si të prezantohemi ne gjermanisht.
***
Ç’politikë, e ç’politikanë qenkan këta, që shohin popullin të largohet, mjekë e infermierë të lënë spitalet bosh e të ikin drejt një vendi që nuk i përkasin, duke lënë pas njerëzit e dashur, sepse këtu (siç e keni dëgjuar rëndom) nuk jetohet. E dini që mjekët që do ju mjekojnë pas disa viteve do jenë të zgjedhur si specializantë të një dege të caktuar pa patur kriter mesataren e notave?
Sigurisht që kështu do ndodhë, sepse mjekët e vjetër, ku ne mbajmë shpresat, do jenë tepër të moshuar për të shërbyer, ndërsa një sërë mjekësh të rinj do rendin të largohen. Sigurisht që do i jepet e drejta universiteteve (që s’e meritojnë të quhen të tillë) të diplomojnë studentë në degën e mjekësisë, sepse do ketë mungesa te rëndësishme mjekësh. Sigurisht që do të ketë dhe mjekë e infermierë që nuk do dinë të trajtojnë pacientin, sepse ata të tjerët, që dinë, do jenë duke shkruar receta në gjermanisht.
Unë nuk dua ta lë vendin tim, por Shqipëria tashmë s’të jep mundësinë të bëhesh i aftë që të shërbesh, të demotivon në një sërë mënyrash që nga bankat e shkollës.
Megjithatë unë shpresoj çdo ditë, që të gjej arsye të qëndroj, e sidoqoftë, nëse një ditë do duam e do vendosim të ndryshojmë, unë uroj që Shqipëria të më mirëpresë që ti shërbej...në gjuhën time.
Jonara_Hoxha,
Studente e Mjekesise, Viti V,
Universiteti i Mjekesise,
Tirane, Shq.
* Titulli eshte nga DBMI, ky material do futet edhe te DBMI primar – fq, jone kryesore ne google-blog te ngelet edhe ne rekorde, jo vetem ne FB [kjo fq qe lexon tani]
** Titull original i autores; Shqipëri, më jep arsye të mos iki...! Sic eshte publikuar ne fq. e saj, Gunga, me 14, Qershor, 2020 klik ketu. Jonara e mencur shkruan edhe ne letersi, ne blogun e saj ka poezi e pjeseza te ndryshme.
*** Ne vite kam ndihmuar studente e mjeke te rinj, nr. me ka humbur por mund te jene 30-40-50 a me shume, pa llogaritur botime nga dr e ndihme ne studente te degeve te tjera, inf. farmaci, stomatologji etj., nga nje keshille, dicka per provime, punime diplome a rekomandime; nder ta ka pasur studente/ mjeke me talent ne shkrime pertej fushes tone. Kam dashur tu jap nje boost (sic) duke vene ne dispozicion te tyre rankimin e cilesine e DBMI te cilen e vleresojne algoritmat madhore te internetit; pasi ata/ ato e meritojne ndihmen tone dhe si shoqeri ne duhet te bejme #shume #me #teper per talentet e reja.
**** Nder ta, Jonara Hoxha qe sot eshte ‘doktore-dhe-autore’ [rubriken doktore dhe autore e kam sjelle shpesh te dbmi ne vite] me elokuence e aftesi deduktive si pak kush ne gjeneraten e saj; me siguri them se kjo vajze_intelektuale eshte #kredit per veten, familjen por edhe Vendin Tone. Kudo te jete neser ne Shqiperi a ne bote, do jape me te miren qe ka per profesionin dhe pacientet e saj. ©DBMI 2014-2020
No comments:
Post a Comment
Komentet jane te mirepritura,
ruani etiken e komunikimit.